Organizata “Demokracia në Veprim”, ka thënë se rrethanat aktuale nuk mundësojnë zgjedhe të lira dhe të drejta në veri të vendit.
Sipas kësaj organizate, mos-regjistrimi i kandidatëve nga radhët e komunitetit serb në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok, vlerësohet se kjo gjendje mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje, pas sipas DnV-së, kjo nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb.
“Për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor”, thuhet në reagimin e DnV-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, sipas “Demokracia në Veprim”, situata e sigurisë në katër komunat veriore vijon të jetë e brishtë, ndërsa dorëheqjet e zyrtarëve policor serb në ato komuna, përbëjnë handikap të madh në garantimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor.
“Në anën tjetër, për si rezultat i këtyre faktorëve, mund të pritet një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit”.
“Andaj, marrë parasysh situatën e tanishme në terren, DnV vlerëson që rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta”.












