Këshilli i Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës ka mbajtur dje mbledhjen e tij të rregullt ku ka diskutuar për angazhimet e stafit në këtë institucion, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Pika e nxehtë e diskutimit ka qenë angazhimi i profesoriatit të parregullt.
Sipas burimeve të Veriu.info vet menaxhmenti i këtij fakulteti ka qenë i ndarë rreth kësaj çështje, ku dekani Agron Beka dhe prodekanët Xhemajl Veliqi dhe Islam Qerimi mbanin qëndrime të kundërta gjë që çoi në përplasjen e tyre.
Dekani Beka ka kërkuar ndaljen e kësaj praktike.
Kundër këtij qëndrimi ishte prodekani Veliqi dhe shumica e profesorëve pjesë e Kêshillit të Fakultetit Juridik.
Madje sipas këtij burimi dekani Beka dhe prodekani Veliqi kanë ashpërsuar përplasjen e tyre verbale që për fat të mirë nuk ka eskaluar në përplasje fizike.
Veriu.info sot ka tentuar të kontaktojë me dekanin Agron Beka por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.
Kurse prodekani Xhemajl Veliqi është përgjigjur në telefon por e ka cilësuar këtë mbledhje të Këshillit të Fakultetit si çështje të brendshme për të cilën nuk ka interes publik.
Kujtojmë që Universiteti i Mitrovicës êshtë institucion publik i arsimit të lartë dhe i cili është ndërtuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe financohet nga buxheti i shtetit./Veriu.info/













