
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, ka reaguar pasi të dielën, Paparaci raportoi ekskluzivisht se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, është denoncuar për shantazh të gjyqtarëve kushtetues.
Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti kishte zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Greca Caka-Nimani. Takimi ishte zhvilluar më 31 mars në Prishtinë, në objektin e Gjykatës Kushtetuese.
Paparaci ka siguruar një dokument me anë të së cilit janë informuar partnerët perëndimorë lidhur me këtë takim që duket tepër serioz dhe shqetësues. Informata ka dalë nga AKI-ja, institucion ky i drejtuar nga Ajeti.
Aty thuhet se shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka, i cili siç përshkruhet në informatë, përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kësisoj, Berisha është shprehur se “ky lajm e bën të ndihet të pasigurt”. Sipas tij, “nëse ndodh diçka e tillë del e vërtetë”, atëherë ai do të tërhiqet nga politika.
Gjithashtu, ai ka deklaruar se ai dhe familja e tij do ta kenë të vështirë të jetojnë në Kosovë.
“Lajmi që ishte për ndërhyrje më bën të ndihem tepër të sigurt. Në rast se ndodh diçka e tillë, nuk mendoj që do të jem pjesë e politikës më”, tha ai mbrëmë i ftuar në një intervistë të dhënë për T7.
Mes tjerash, ai tregoi se kur e ka dorëzuar rastin në Gjykatën Kushtetuese, qëllimi nuk ishte rrëzimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, transmeton Paparaci.
“Nuk ishte qëllimi, as sot nuk është qëllimi (rrëzimi i presidentes). Nuk e di a është marrë vendimi. Nëse konstatohet që unë duhet të kthehem në Kuvend, konstatohet që mua më janë marrë 2 vite mandat”, shtoi ai.
Paparaci e ka konfirmuar takimin mes Ajetit dhe Nimanit nga burime të ndryshme, por këto burime nuk kanë qenë në gjendje të flasin se çfarë ka ndodhur brenda takimit. E kanë përshkruar si të tensionuar, pa qenë në gjendje të flasin se çfarë e ka shkaktuar atë tension.
Megjithatë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Gjykata Kushtetuese nuk e kanë mohuar mbajtjen e një takimi mes udhëheqësve të dy institucioneve.
AKI-ja i ka hedhur poshtë informatat e Paparacit. I ka cilësuar “të pavërteta”.
Në një reagim për media të dielën, AKI-ja nuk është deklaruar për realizimin e takimit mes Ajetit dhe Caka-Nimanit. Nuk është deklaruar as për qëllimin e takimit, por është shprehur se “bashkëpunon me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”
“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë hedh poshtë dhe i cilëson të pavërteta pretendimet e artikullit të publikuar”, thuhet në deklaratën e AKI-së. “AKI, në bazë të detyrave të përshkruara me ligj, bashkëpunon me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pretendimet e shkrimit në fjalë, provojnë që të mashtrojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të dëmtojnë kredibilitetin e AKI-së”.
Informatat e raportuara nga Paparaci i ka mohuar publikisht edhe Gjykata Kushtetuese, në një deklaratë për media të dielën në mbrëmje.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com”, thuhet në deklaratën e Gjykatës Kushtetuese.
Sikurse AKI-ja, edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të deklarohet konkretisht lidhur me informatat e raportuara në shkrimin e Paparacit.
“Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e Gjykatës Kushtetuese.
Paparaci ka dërguar pyetje në këto dy institucione të shtunën, një ditë para publikimit të artikullit, por asnjëra prej tyre nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.












