
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar raportimin e së dielës të Paparacit, ku thuhet se drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
Në raportimin e Paparacit bëhet e ditur se Ajeti ia ka dorëzuar një memo kryegjyqtares Caka, që përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Prandaj, Hasani ka thënë se nuk do të duhej të ndodhte vizita e Ajetit te Caka në Kushtetuese, pasi siç tha ai, nuk ka të drejtë për një gjë të tillë.
Përmbajtja e takimit ka pasur elemente shantazhi nga ana e shefit të AKI-së. Takimi kishte ndodhur më 31 mars të këtij viti në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.
Për më tepër, Hasani ka thënë se veprimi i Ajetit është abuzim me detyrën zyrtare dhe njëkohësisht është edhe vepër penale.
Hasani theksoi se AKI-ja dhe Gjykata Kushtetuese kanë dallim si xeherorja dhe farmacia, pasi të dyja këto institucione nuk kanë fare ngjashmëri me njëra-tjetrën.
“Ai nuk guxon me shkel në oborrin e Gjykatës Kushtetuese. Agjentët e AKI-së nëse kanë me operu, i kanë proces duart qysh marrin leje, por s’e marrin nga shefi i kushtetueses. AKI-ja mund ta vizitojë Kushtetuesen nëse ka raport personal me dikë dhe atë në prezencë të mediave, edhe pse kjo nuk është me vend. Në asnjë rast tjetër. Nëse AKI-ja ka informata se kushdo qoftë prej vozitësit deri te shefi i Gjykatës Kushtetuese janë të përfshirë në aktivitet që rrezikojnë sigurinë e shtetit, ai i raporton i dërgon pjesën jo penale shefit të shtetit dhe prokurorisë”, tha ai sonte në Klan Kosova.
“E kam parë reagimin e të dyja institucioneve. Reagimi i AKI-së është më së buti më i papranueshëm. Në reagim e shihni ai gjykon, ai vlerëson se Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur”, shtoi Hasani.
Paparaci ka informata se ekziston një dokument me anë të së cilit janë informuar partnerët perëndimorë lidhur me takimin e Ajetit dhe Cakës që duket tepër serioz dhe shqetësues.
Burimet i kanë thënë Paparacit se takimi ka ndodhur fiks dy ditë pas një raportimi të televizionit Kanal 10 se Kushtetuesja pritet ta rrezojë presidenten Osmani.
Në informatën e dalë nga AKI-ja për partnerët ndërkombëtarë thuhet se takimi lidhej pikërisht me këto shkrime në media se presidentja Vjosa Osmani mund të rrezohet nga Kushtetuesja për shkak se Veton Berisha dhe Albert Kinolli e kanë rastin në gjykatë për mandatet e tyre.











