
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb po vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi.
Ai thotë se ata serbë që duan të përfshihen në institucionet kosovare po shantazhohen e po arrestohet nga Serbia.
“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion iu kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”.
Sveçla thotë se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre.
“Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”.
Ai i fton qytetarët serbë që nesër të dalin të votojnë, duke thënë që përmes votës nesër mund të çlirohen nga grupet e dirigjuara nga presidenti i Serbisë.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar drejtori i të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq.
Duke e cilësuar Sveçlën si urryes i serbëve, ai ka thënë se me thirrjet e tij vetëm se po e konfirmon vendimin e serbëve që ta refuzojnë “tentativën e Kurtit për okupim”.
“Deklarata e tij e pakuptimtë se serbët do të dalin nesër kundër presidentit të tyre Aleksandar Vuçiq do të rezultojë në një bojkot edhe më bindës dhe unanim të dhunimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga Kurti”, është shprehur Petkoviq, sipas Kosovo Online.
Tutje raportohet se Petkoviq ka thënë se se Sveçla po mashtron vetën kur mendon se mund të detyrojë serbët të marrin pjesë në “okupim”
“Sveçla po mashtron veten kur mendon se do t’i detyrojë serbët të marrin pjesë në okupim, sepse edhe pushtuesit shumë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm nuk arritën ta mposhtin respektin dhe dashurinë e popullit serb për lirinë”, ka thënë Petkoviq.
Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore nga të cilat pothuaj të gjitha subjektet politike serbe janë tërhequr nga zgjedhjet e 23 prillit, të rishpallura nga presidentja Vjosa Osmani.
Zgjedhjet u shpallën pas dorëheqjes së përfaqësuesve politikë e institucionalë të serbëve të Kosovës dhe pjesëtarëve serbë të Policisë, pas tensioneve vitin e kaluar.












