Analisti politik, Lavdim Hamidi, komenton situatën politike në Kosovë, veçanërisht bashkëpunimin e kryeministrit Kurti me presidenten e republikës, Osmani.
Ai në një intervistë për A2CNN thotë se fitorja e 14 shkurtit të Lëvzjes Vetëvendosjes ishte një sukses e cila që nga paslufta nuk ishte arritur një gjë e tillë.
Por sipas Hamidit, kjo fitore ndikoi edhe në riformimin e dy partive tjera më të vjetra, LDK e PDK.
“Nuk është një koicidencë, por është një mesazh, këto dy subjekte politike, LVV dhe Lista Guxo para një viti fituan 50 përqind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, një fitore që asnjëherë më parë që nga paslufta nuk ishte arritur në Kosovë. Suksesi i VV-së në atë kohë ishte i jashtëzakonshëm, ishte një fitore për një gjeneratë të re politike, e cila i përcoll edhe për ndryshime me lidership në dy partitë e tjera më të vjetra në Kosovë.
Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e shkurtit, LDK, kryetari i saj Isa Mustafa dha dorëheqje dhe mblodhi Kuvendin ku u zgjodh më pas Lumir Abdixhiku, kryetari i ri. Gjashtë muaj pas zgjedhjes së kryetarit kjo parti u rikthye si partia e parë në nivel lokal, fitoi Prishtinën, mbajti Pejën, dhe numrin më të madh për asamblenë lokale.
Njëjtë veproi edhe PDK, e zgjodhi Memli Krasniqin kryetar, dhe në zgjedhjet lokale fitoi 8 komuna, perfshirë këtu 3 nga komunat kryesore në vend, përfshirë këtu Prizrenin, Mitrovicën, dhe riktheu komunën e Ferizajt. Pra fitorja e VV-së në atë kohë ndikoi në riformimin e dy partive tjera më të vjetra të cilat nuk u votuan me 14 shkurt“, tha ai.
Pas një viti të qeverisjes, sipas Hamidit ka një krisje mes dy partnerëve të koalicionit.
“Duket se ka një krisje e cila nuk është shpërfaqur në publik. Ka mospajtime sidomos raportin me ndërkombëtarët, mes dy partnerëve të koaliconit“, tha ai.












