Është arrestuar një person dje në Vushtrri nën dyshimin për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, raporton Gazeta Online Veriu.info.
I dyshuari derisa po voziste traktorin kishte pasur një fjalosje me një pjesëmarrës në komunikacion, dhe më pas kishte nxjerrë armën të cilën e kishte mbushur në publik.
Pas kësaj i dyshuari 43 vjeçar është identifikuar dhe është arrestuar kurse është konfiskuar edhe një armë me dy fishekë.
Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
Në orët e pasdites të datës 14 Shkurt 2022, në Stacionin Policor Vushtrri është pranuar një informatë se një person i cili derisa kishte qenë duke drejtuar një mjet bujqësor (traktor) kishte pasur një fjalosje me një pjesëmarrës në trafik rreth përparësisë së kalimit dhe më pas kishte nxjerrë armën të cilën e kishte mbushur në vend publik.
Pas kësaj fjalosje, i dyshauri kishte vazhduar rrugën mirëpo shumë shpejtë ka arritur të identifikohet dhe të ndalohet nga ana e njësive policore dhe gjatë kontrollit policët kishin arritur të gjenin armën të cilën e kishte fshehur nën ulësen e drejtuesit të mjetit.
I dyshuari A.A., 43 vjeçar, është arrestuar ndërsa arma (pistoletë) me një karikator dhe dy fishekë janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Pas procedurës intervistuese, ndaj tij është iniciuar rasti për dyshimin e kryerjes së veprave penale: ,,Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa-autorizuar i armëve” dhe ,,Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.










