Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, tani nënkryetar i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas votimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill.
Hoxhaj, i cili ka qenë politikani më i zëshëm në Kosovë sa i përket rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ka thënë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit dhe tani, sipas tij, së shpejti, flamuri i shtetit më të ri në Evropë do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës.
“Lajm i jashtëzakonshëm që Kosova mori përkrahje nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kaloi etapën e parë të anëtarësimit! Së shpejti, flamuri i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës, Këshillin e Evropës. “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.













