Ish kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka vlerësuar si të duhur vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Në një prononcim për Veriu.info, Bahtiri ka thënë se kjo urë është dashur të hapej vite më parë sipas marrëveshjes së Brukselit.
“Gjatë dy mandateve sa kam qenë kryetar kam dhënë një kontribut të madh për hapjen e urës dhe ruajtjen e paqes në të pjesët e qytetit.” – ka deklaruar Bahtiri.
Bahtiri ka inkurajuar kryetarin e ri të komunës së Mitrovicës Veriore që të jetë këmbëngulës në zbatimin e këtij vendimi.
Po ashtu ai ka kërkuar që të merret në kosnideratë edhe vendimi për lejimin e rindërtimit të xhamisë së Ibrit.
“Kuvendi komunal dhe kryetari i ri i komunës duhet të marrin në konsideratë edhe marrjen e vendimit për lejimin e rindërtimit të xhamisë pranë urës së lumit Ibër, e cila ishte djegur nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës.” – deklaroi Bahtiri.
Kujtojmë që vendimi u mor me shumicë votash të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore.











