Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me takimin e 2 majit që pritet të mbahet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq në Bruksel.
Ai tha se tashmë është koha e fundit që të arrihet marrëveshje, megjithëse pohoi se do të ketë pengesa të mëdha.
Haliti tha se aktualisht jemi në “terr” informativ nga Qeveria.
” Ne jemi në ‘terr të informimit’ përjashtu çështjeve që janë publike në media. Sidoqoftë mesazhi publik i BE-së, SHBA-ve është që të zbatohen marrëveshjet e 2013 dhe Marrëveshja e Ohrit. Këtu pikat e marrëveshjes ose obligimet për të dyja palët kanë ra dhe unë po besoj që do të bisedohet, opinionit do t’i jepet diçka tjetër ndërsa atje në takim do të ketë marrëveshje për hapat e mëtejshëm. Është koha e fundit kur të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje, por unë po besoj që do të ketë pengesa shumë të mëdha, do të ketë kundështime për zbatimin e marrëveshjes jo vetëm në Serbi por edhe Kosovë nga opinioni. Sepse do të jetë marrëveshje ‘merr e jep’, diçka duhet me marr diçka duhet me dhanë të dyja palët”, thotë ai për Gazeta Blic.













