
Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, ku njëra nga pikat e diskutimit do të jetë draftstatuti i Asociacionit.
Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.
Në takim pritet të diskutohet për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e të pagjeturve kanë bërë të ditur nga Komisioni Evropian.
“Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.












