Kosova ka një vit që nuk ka kryeprokuror të Shtetit, raporton Gazeta Blic.
Për këtë tashmë ka një procedurë të përfunduar e ku Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka nisur tash e një vit emrin për dekretim të kryeprokurorit të shtetit, presidentes së vendit Vjosa Osmani, e i cili është Blerim Isufaj.
As dekretim, e as refuzim deri në këto momente nga presidentja e vendit, ani pse këshilltari i saj Blerim Vela ditë më parë tha se për këtë do të ketë një epilog në fund të muajit prill.
Prilli veç se shkoi dhe ende nuk ka një vendim nga presidentja e Kosovës për çështjen e kryeprokurorit të shtetit.
Gjithçka që ka deri më tani për kandidatin e propozuar nga KPK për kryeprokuror të shtetit, janë sulmet direkte nga tre liderët e institucioneve të Kosovës, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti.
Madje, ky i fundit nga Kuvendi i Kosovës akuzoi rëndë Blerim Isufajn edhe për shtrëmbim të fakteve në rastin e Dino Hasajnt, e ku e akuzoi prokurorin special se nga vrasje e shpalli në vetëvrasje rastin Hasanaj.
Këshilltari Bekim Kupina ditë më parë tha se afati për nxjerrjen e një vendimi ndërlidhet me procedurat gjyqësore të hapura nga kundër-kandidatët e Blerim Isufajt.
“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundër kandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundër kandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, kishte thënë Vela
Ndryshe, javën e kaluar, KPK i është drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
KPK-ja ka vlerësuar se dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është “esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend”.
“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim. Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e KPK-së.













