Kuvendi Komunal i Mitrovicës sot ka votuar buxhetin për vitin 2022 me shumicë votash nga anëtarët e legjislativit komunal, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Pro buxhetit për vitin 2022 votoi edhe grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, madje në mënyrë unanime, pra i gjithë grupi parlamentar.
Asamblsitët e Vetëvendosjes patën pyetje dhe propozime gjatë diskutimit të buxhetit, por për asnjë moment nuk hodhën kritikë politike ndaj kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza.
Votën pro buxhetit 2022 e dha edhe shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Faruk Mujka, i cili gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale organizonte protesta kundër Bedri Hamzës, por si duket “përshtypja” e Mujkës për Hamzën ka ndryshuar pas ky i fundit u zgjodh kryetar komune.
Para pak kohësh tre asamblistë të Vetëvendosjes kishin votuar kryesuesen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, e kjo e kishte nervozuar fort Faruk Mujkën i cili i kishte larguar të tre asamblistët nga grupi i përbashkët në rrjetin e komunikimit viber.
Mujka kishte inicuar edhe procedurën për përjashtimin e asamblistëve Jeton Zeneli, Elidiana Budini Haziri dhe Shkurta Shosholli Musa, nga grupi i Vetëvendosjes, ku kryesia e degës së VV-së në Mitrovicë kishte votuar përjashtimin e tyre por që ishte refuzuar nga kryesia qendrore.
Për ironi pas votës së tre asamblistëve të VV-së për kryesuesin e kuvendit nga radhët e PDK-së, i gjithë grupi i asamblistëve u bën unik në votimin e buxhetit komunal të propozuar nga kryetari Bedri Hamza./VERIU.INFO/