Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit janë të mundura vetëm nëse arrihet një marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me mbështetjen e plotë të administratës amerikane dhe Brukselit.
Kështu deklaroi për “Gazeta Blic” gazetari serb në Kosovës, Branislav Krstic.
Krstic tha se rithirrja e zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme nga autoritetet në Prishtinë do të ishte një ‘fiasko’.
“Procesi i ri zgjedhor është i mundur vetëm nëse arrihet një marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar me mbështetjen e plotë të administratës amerikane dhe Brukselit zyrtar. Rithirrja e zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme nga autoritetet në Prishtinë do të ishte një fiasko e plotë”, thotë ai.
Ai tutje shtoi se Qeveria aktuale në Prishtinë për dy vjet të mandatit të saj ka treguar se nuk ka mekanizëm për t’i bindur serbët e veriut për asgjë.
“Qeveria aktuale në Prishtinë ka treguar në dy vjet të mandatit të saj se nuk ka mekanizim për të bindur serbët e veriut të Kosovës për asgjë, aq më pak me dhunë. Me vendime të njëanshme, politikë arrogante dhe injorante ndaj komunitetit serb, pushteti në Prishtinë arriti t’i homogjenizojë serbët në një front, edhe ata që janë gjithmonë kundër politikave të Listës Serbe dhe politikave të Kabinetit të Presidentit të Serbisë”, tha Krstiç në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas takimit të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se mbetet i shqetësuar për numrin e vogël të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor për katër komunat në veri të Kosovës.
Sipas tij, këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate dhe mund të sjellin tensione të reja nëse palët nuk e zgjidhin këtë çështje.
Me 23 prill u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në Veri të vendit.
Megjithëse nuk doli një numër i lartë i votuesve në zgjedhje, nga SHBA-të u tha se janë në përputhje me Kushtetutën.
“Shtetet e Bashkuara theksojnë se zgjedhjet për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me Kushtetuën dhe kërkesat ligjore të Kosovës. Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit” u tha në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.












