
“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim, dhe ne duam patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi. Kjo është arsyeja pse ne duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës që bëri sot në Prishtinë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak .
Analisti politik, Dorajet Imeri, e cilësoi si kërcënuese dhe shantazhuese për Kosovën, deklaratën e Lajçak .
Imeri tha se normalizimi i raporteve nuk mund të ndodhë duke e kushtëzuar me me çdo kusht një palë të bëjë lëshime.
“Deklaratat e Lajçak duhet me i pa një sy tepër kritik për faktin se kjo qasje mund të duket ndoshta edhe pak si kërcënuese apo shantazhuese për Kosovën sepse si palë lehtësuese ai thotë se nëse nuk normalizohen raportet natyrisht se do të ndodhë konflikti. Kjo është diçka që dihet, por normalizimi i raporteve nuk mund të ndodhë duke e dhunuar një palë duke e kushtëzuar me çdo kusht që të bëjë lëshime të mëdha siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prandaj një qasje e tillë është tepër e njëanshme dhe nuk mund të prodhojë zgjidhje”, tha Imeri për “Gazeta Blic”
Tutje Imeri shtoi se BE-ja nuk mund t’i imponojë Kosovës themelimin e asnjë Asociacioni që është antikushtetues.
“Natyrisht se BE-ja nuk mund t’i imponojë Kosovës themelimin e asnjë Asociacioni që është antikushtetues dhe prandaj konsideroj se Kosova duhet të jetë tepër e vëmendshme në hapat që do të ndërmarrë në fazën vijuese. Takimi i ardhshëm mes Bislimit dhe Petkoviq ndoshta do të ejtë për të preçizuar pastaj dinamikat e reja se si do të rrjedhë procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi”
Dorajet Imer, analist politik
Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Gazmir Raci, tha se palët duhet të lënë anash retorikat nacionaliste dhe t’i kthehen punës.
“Është mirë që tashmë Kosova ka dhënë edhe propozimin konkret se si do të duket Draft-Statuti i Asociacionit. Eshtë mirë që palët t’i kthehen punës dhe të lënë anash retorikat politike nacionaliste, po ashtu duhet shfrytëzuar Bashkimi Evropian për të patur një strategji të re qasjeje për pjesën veriore të vendit. Kërkohet që ajo qasje të jetë sa më miqësore dhe sa më e butë në raport me popullsinë serbe lokale në pjesën veriore në mënyrë që të integrohen edhe ato komuna në Kosovë, por natyrisht ky integrim duhet të jetë shumë më i qëndrueshëm se ai integrimi që ka ndodhur në të kaluarën”, tha ai.
Raci komentoi edhe takimin Bislimi-Petkoviq që pritet të mbahet ditën e hënë në Bruksel.
Ai tha se BE-ja është duke punuar për një ‘Draft-Statut’ të ri dhe kjo mund të jetë një prej pikave të bisedimit.
“Unë mendoj se BE-ja tashmë është duke punuar për një Draft të ri të Statutit dhe ndoshta mund të jetë njëra prej pikave të diskutimit edhe në atë nivel. Po natyrisht ka edhe shumë çështje që kanë mbet ende të hapura, siç është marrëveshja për energjinë, përmbyllja e ç1%shtjes së targave e po ashtu edhe çështja e integrimit të serbëve lokalë në katër komunat e veriut”, deklaroi Raci në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”
Gazmir Raci, Analist
Pas takimit me kryeministrin Kurti, emisari i BE-së Miroslav Lajçak ka udhëtuar drejt Mitrovicës ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bedri Hamza.










