Katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës, të cilët u zgjodhën nga zgjedhjet e 23 prillit ende nuk e dinë se kur do ta bëjnë betimin në pozitat e tyre të reja.
Ata thonë se kjo mund të ndodhë javën e ardhshme, por se nuk dihet ende data e saktë.
Emrat e katër kryetarëve të rinj dihen tash e dy javë, e rezultatet për ta janë certifikuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkruan Front Online.
Gjatë ditës së djeshme të njëjtit janë takuar edhe me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Krasniqi, sot për media ka deklaruar se janë dakorduar që në ditët në vijim individualisht t’i caktojnë të gjitha seancat me kryetarët e zgjedhur.
Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë për Front Online se janë në harmonizim të plotë me Qeverinë dhe ministrinë për të gjitha veprimet që do të merren.
“Jemi në harmonizim të plotë me gjitha faktorët relevantë me Qeverinë, ministrinë edhe ne si komuna lokale për veprimet dhe hapat që do të merren. Ene nuk ka ndonjë vendim se kur saktësisht se kur do të bëhet betimi”, është shprehur ai për Front Online.













