I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar të dielën për vizitat zyrtare që i kishte gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd.
Lajçak tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd kishte për qëllim përgaditjen për raund tjetër të bisedimeve në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Por Lajçak ka deklaruar se në Veriun e Kosovës ka dëgjuar “gjëra shqetësuese”, duke kërkuar nga Kosova të mos bëjë veprime të pakoordinuara.
”Është mirë që jam kthyer në Bruksel pas vizitës sime në Kosovë dhe Serbi, ku udhëtova për të përgatitur terrenin për raundin tjetër të takimit të Kryenegociatorit në Bruksel. Ndalesa ime e parë ishte në Prishtinë, ku u takova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi. Gjatë takimit diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën e fokusimit të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin”, ka thënë Lajçak.












