Shtëpia e familjes Korogli, konsiderohet si shtëpia më e vjetër në qytetin e Mitrovicës, e ndërtuar sipas stilit otoman dhe i takon periudhës së shekullit XIX, afërisht e vjetër 200 vite.
Kjo shtëpi gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, listë e cila është hartuar me vendim të ministrit të MKRS-së të datës 7 tetor 2022.
Mirëpo, kjo shtëpi së fundmi ka filluar të rrënohet, gjë që ka bërë të ketë reagime të shumta në Mitrovicë, përfshirë edhe Rrjetin e Organizatave Kulturore të Mitrovicës ku ka kërkuar nga MKRS dhe komuna e Mitrovicës të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe konkret drejt riparimit të dëmit të shkaktuar, dhe të ndërmerren masa të menjëhershme pasuese për të garantuar konservimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të këtij objekti.
Veriu.info sot ka kontaktuar U.D. drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, Mujë Igrishta për t’u deklaruar për rastin e dëmtimit të kësaj shtëpi, por ai nuk ka pranuar të prononcohet, duke thënë vetëm zyrtarët përgjegjës të informimit në MKRS janë të autorizuar të deklarohen për media.
Po ashhtu veriu.info ka dërguar pyetje edhe në adresë të zëvendës Drejtoreshës në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Merita Augustini-Nrecaj, duke e pyetur për hapat që do të ndërmerren në mbrojtjen e kësaj shtëpie nga rrënimi, por deri në momentin e publikimit të artikullit ajo nuk ka kthyer përgjigje, e cila do të publikohet në rast se ajo e dërgon.
Burime të Veriu.info nga institucionet relevante dhe banorët e zonës bëjnë të ditur se qëllimi i rrënimit ilegal të kësaj shtëpie, është krijimi i kushteve për ndërtimin e objekteve banesore në këtë zonë.
Veriu.info ka hulumtuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka parë se në bazë të Rregullores Nr. 01/2022 të MKRS-së për Përcaktimin e Perimetrit të Zonës Mbrojtëse të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Politikave për Konzervimin dhe Zhvillimin e tyre, nuk lejohet ndërtimi në të paktën 50 metra afërsi rreth objekteve që gjenden në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Neni 9, paragrafi 1 i Rregullores Nr. 01/2022 të MKRS-së tregon parimet për përcaktimin e zonës mbrojtëse të një monumenti, ku thotë shprehimisht: “Kufiri i zonës mbrojtëse duhet të matet me një distancë minimale prej 50 metrash nga kufiri i secilës anë të perimetrit. Në rastet kur monumentet brenda perimetrit janë më të larta se 35 metra kufiri i zonës mbrojtëse përcaktohet nga një distancë që është 1.5 herë lartësia e saj.”
Në mesin e shumë personave që kanë reaguar kundër rrënimit ilegal të kësaj shtëpie është edhe themeluesi i portalit Veriu.info, Gazmend Morina, i cili ka thënë që beson se prapa rrënimit ilegal të kësaj shtëpie qendrojnë kompanitë e ndërtimit të objekteve banesore, me çrast i ka bërë thirrje MKRS-së, komunës dhe policisë të ndërhyjnë për parandalimin e këtyre veprimeve ilegale.