Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur rreth bllokadës për konstituimin e Kuvendit, dhe sa rrezikohet buxheti i 2026-ës.
Ibrahimi thotë se Kuvendi nuk është ndonjë pengesë në këtë proces, por vendimmarrjen e merr Komisioni i Granteve.
“Në realitet, Kuvendi nuk është ndonjë pengesë, ministri i Financave e paraqet si pengesë i një anëtari të Komisionit të Granteve. Mirëpo ai komision përbëhet nga nëntë anëtarë, nëse mungon ndonjëri, vendimet munden me u marrë, sepse janë 8 anëtarë”.
“Me ligjet në fuqi, Parlamenti i Republikës së Kosovës për kornizën afatmesme të shpenzimeve 2026/2028 vetëm informohet, nuk ka vendimmarrje aty, dhe neve si komuna kem ngritur këtë shqetësim, sepse deri më 30 prill zakonisht, Komisioni i Granteve është dashur ta marrë vendimin sa i përket aprovimit për kornizën afatmesme, sepse deri më 15 maj duhet të lëshohet në qarkullim qarkorja e parë buxhetore, ku komunat e kanë pastaj si udhërrëfyes për planifikimin buxhetor për vitin 2026”, tha Ibrahimi për “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Ibrahimi tha se lidhur me këtë, nuk po merren vesh me Qeverinë në detyrë.