Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka lëshuar paralajmërime të forta pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke u ndalur te ndërhyrjet e mundshme të jashtme dhe rolin e figurave të caktuara brenda partisë gjatë nismës për shkarkimin e tij.
Abdixhiku deklaroi se mund t’i kuptojë të gjithë ata anëtarë që u përfshinë në këtë proces me bindje të drejta, por theksoi se nuk do të ketë tolerancë nëse janë përdorur mekanizma shtetërorë apo mjete të tjera për të trazuar LDK-në. Në këtë kuadër, ai përmendi edhe përgjimet e fundit dhe i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, ka deklaruar prerazi Abdixhiku.










