Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, kanë takuar të premten kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë, hoxhën Hetem Sopjani, me bashkëpunëtorë, administratën e Këshillit dhe imamët e Qendrës.
Abdixhiku tha se biseduan për problemet me të cilat ballafaqohen besimtarët në kryeqytet.
“Diskutuam për sfidat reale me të cilat përballen besimtarët dhe komuniteti në Kryeqytet, për nevojat e tyre konkrete, por edhe për rolin e rëndësishëm që institucionet fetare kanë në jetën shoqërore: në forcimin e solidaritetit, ruajtjen e harmonisë dhe kultivimin e respektit e bashkëjetesës ndërmjet njerëzve tanë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se bashkësitë fetare janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore.
“Bashkësitë fetare janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Ato janë institucione që ruajnë kujtesën, traditën, identitetin dhe vlerat e një shoqërie që ka ditur gjithmonë të qëndrojë bashkë edhe në kohë të vështira. Ne besojmë në dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, për një Kosovë më të bashkuar, më të respektueshme dhe më humane”, përfundoi Abdixhiku.














