Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar disa nga vendimet kryesore politike të marra gjatë punimeve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
Ndër vendimet e këtij Kuvendi është inkorporimi i të gjithë deputetëve të zgjedhur të LDK-së në organin më të lartë drejtues mes dy kuvendeve – Këshillin e Përgjithshëm.
Me këtë vendim, Vjosa Osmani rikthehet zyrtarisht në strukturat e LDK-së si anëtare e Këshillit të Përgjithshëm me të drejta të plota. Bashkë me të, pjesë e këtij organi bëhet edhe deputetja tjetër e zgjedhur nga lista e saj, Albena Reshitaj.
“Morëm vendim që në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së t’i inkorporojmë si anëtarë me të drejta të plota të gjithë deputetët e LDK-së, të cilëve u urojmë mirëseardhje në këtë Këshill të Përgjithshëm”, deklaroi Abdixhiku.












