Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër fushatën intimiduese të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitovicës Jugore, Faton Peci kundër TV Dukagjini.
AGK-ja vlerëson se postimi në Facebook i Pecit lidhur me Exit-Pollin e 12 tetorit kur mes tjerash e ka quajtur TV Dukagjinin si “qendra operative e ndërmarrjes kriminale” është komunikim thellësisht i papërgjegjshëm dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm, njofton Dukagjini.
“AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson”.
Tutje, AGK-ja ka kërkuar nga Peci dhe Lëvizja Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi vlerësojnë që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.
“AGK-ja kërkon nga zoti Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre. Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci. Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, thuhet në reagimin e AGK-së.












