Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në lidhje me një koalicion të mundshëm LVV-LDK për daljen e vendit nga kriza institucionale.
Haziri ka theksuar se kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet stabilitetit.
“LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet” ka deklaruar Haziri.
Në lidhje me deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, kanë folur për “Gazeta Blic’ nga Partia Socialdemokrate.
Bardh Ahmeti nga ky subjekt politik tha se për PSD-në ka qenë e qartë që nga fillimi se ish-partitë opozitare, përfshirë edhe LDK-në, kanë shkuar në zgjedhje pasi janë të interesuara të rrisin pazarin për të hyrë në qeverisje me LVV-në.
Ahmeti tha se diçka e tillë u konfirmua nga vetë Haziri mbrëmjen e djeshme.
“Për PSD-në ka qenë e qartë nga fillimi që partitë opozitare e deri djeshme, duke përfshirë LDK-në, kanë shkuar në zgjedhje sepse janë të interesuara që të rrisin pazarin për të hyrë në qeverisje me Kurtin.Kjo gjë u konfimua edhe nga z.Haziri mbrëmë. Pra, çfarëdo opozitarizmi që kanë pasur ndaj Kurtit, ka qenë për qëllim që të rrisin sadopak veten në mënyrë që të përfundojnë në tavolinë të negociatave me të” deklaroi Ahmeti.
Zyrtari i PSD-së tha se deklarimet e forta të, ish-partive opozitare ndaj Kurtit s’kanë qenë të vërteta, pasi tashmë po kërkojnë koalicion me të.
“I kanë thënë i rrezikshëm, autoritar, mashtrues e i padijshëm. Por qysh mundesh me shpresu e kërku koalicion me një person apo parti të tillë? Kjo i bjen që asnjërën nga këto se ke pas përnjëmend”
Sipas Ahmetit, është jetike që pushteti i Kurtit të refuzohet e luftohet sepse është i dëmshëm dhe i rrezikshëm.
“Është jetike që pushtetin e Kurtit ta refuzojmë e luftojmë sepse është i dëmshëm e i rrezikshëm. Me një opozitë që s’është as opozitë kjo punë s’bëhet.” deklaroi Ahmeti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.












