Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas paralajmërimeve se kryeqyteti do të mbetet pa transport publik për shkak të krizës së thellë financiare që ka goditur ndërmarrjen publike Trafiku Urban. Ahmeti e ka quajtur këtë një “ditë të dhimbshme” për qytetin dhe ka rikujtuar vështirësitë që, sipas tij, i kishte trashëguar kur kishte marrë drejtimin e komunës.
Ai theksoi se Trafiku Urban ishte marrë me “1.5 milionë euro borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara”, ndërsa proceset për sigurimin e autobusëve të rinj, sipas tij, ishin zvarritur nga qeveria e atëhershme e LDK-së për shkak të votimit të garancionit sovran nga Kuvendi. Ahmeti tha se, megjithëse ishte siguruar një kredi prej 10 milionë eurosh nga BERZH, miratimi politik ishte pengesë e vazhdueshme.
Në reagim, ai kujtoi se kishte takuar disa herë ish-kryeministrin Avdullah Hoti, si dhe kishte kërkuar mbështetjen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, vetëm që të mund të procedohej me blerjen e autobusëve. Sipas tij, politika në ato situata kërkonte kompromis “kur interesi qytetar është në pyetje”.
Ahmeti paralajmëroi se mungesa e transportit publik mund të jetë vetëm fillimi i problemeve të tjera esenciale në kryeqytet: “Në ditët në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë, etj.” Ai u bëri thirrje institucioneve dhe drejtuesve aktualë të Prishtinës që të ulen dhe të bisedojnë, “qoftë edhe me ndërmjetësues”, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për funksionimin e shërbimeve vitale.
“Postet vijnë e shkojnë, zgjedhje do të ketë përsëri, por të këqijat do t’ju mbesin në ndërgjegje e në histori. Takonu!”, shkroi ai.












