Dy persona janë arrestuar në Prizren si të dyshuar për fajde. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka organizuar një operacion policor për arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me veprën penale “Fajde”, nga neni 331 i Kodit Penal të Kosovës.
Insajderi mëson se të arrestuarit janë vëllezërit Eduard dhe Anton Kaçinari. Ata dyshohet se u kanë vënë viktimave fajde, ndërsa vlera e kamatave dyshohet të arrijë deri në rreth 1 milion euro.
Sipas njoftimit për media, të dyshuarit me veprimet e tyre të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde. Po ashtu, në emër të kamatave, përmes formave të ndryshme të presionit, ata kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e të cilave arrin rreth 1 milion euro.
Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes së tyre për ta detyruar viktimën të rregullojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve që janë në pronësi të viktimës.
Me urdhër të gjykatës është kontrolluar edhe vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të përdoren në procedurën penale ndaj tyre.
Ndaj dy të dyshuarve, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim.
Pamje nga arrestimi:














