Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me dyshimet për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.
I pandehuri H.M, në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Suharekës, dhe A.D., në cilësinë e Drejtorit të Inspekcioneve në Komunën e Suharekës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt.
Sipas aktakuzës, edhe pse investitori ishte urdhëruar që t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk është kryer brenda afatit të përcaktuar. Ndërsa, gjatë inspektimit të mëvonshëm, gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale, duke mos u evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.
Në anën tjetër, investitori N.B., objektin e lartcekur e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit. Për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, ndërsa, sipas aktakuzës, objekti është realizuar me B+P+3, si dhe janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Ndërkaq, A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, ka kryer punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.













