Aktivisti, Mentor Majaci i cili ka ndarë disa fotografi dhe video të aktiviteteve të tij në Vetëvendosje, madje edhe me Kryetarin e kësaj partie Albin Kurti, si dhe në shoqërim me deputetin Xhelal Sveçla e Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shkruar se jep dorëheqje nga çdo aktivitet i Vetëvendosjes.
Ai u ka kërkuar falje, miqëve, bashkëpunëtorëve si dhe të gjithë atyre që i ka ftuar më parë t’i bashkoheshin Vetëvendosjes.
E plotë:
Hyra në këtë lëvizje me bindjen e plotë se po i bashkohesha një alternative të sinqertë politike — që do të sillte ndryshim të vërtetë, drejtësi, barazi dhe shpresë për qytetarët e këtij vendi. Fatkeqësisht, gjatë përfshirjes sime, kam parë nga afër një realitet shumë të dhimbshëm: keqqeverisje, arrogancë, mosdëgjim të qytetarit, kapje të institucioneve dhe punësime të njëanshme partiake( Sidomos në Komunen tonë të Podujevës).E vërteta është se në vend të ndryshimit, po ripërsëritet e njëjta mendësi e vjetër që ky subjekt pretendonte se do ta luftonte.
Vetëvendosje, që dikur ishte simbol i idealizmit dhe sakrificës qytetare, sot është kthyer në një mekanizëm për pushtet të pandalshëm, përjashtues dhe interesash të mbyllura. Të rinjtë, profesionistët dhe aktivistët e ndershëm po injorohen e përjashtohen, ndërsa po përkrahen mediokriteti dhe besnikëria ndaj individëve, jo ndaj parimeve.
Unë, Mentor Majaci , jap dorëheqje nga përkrahja dhe nga çdo funksion dhe anëtarësi në “Lëvizjen Vetëvendosje”, me efekt të menjëhershëm.
Kërkoj falje publike nga çdo qytetar, mik apo bashkëpunëtor që e kam ftuar t’i bashkohet kësaj lëvizjeje, duke u bazuar në bindjen time të sinqertë të dikurshme. Ishte një gabim që tani e kuptoj qartë, dhe për të cilin marr përgjegjësi morale dhe njerëzore.
Nga sot, nuk kam më asnjë lidhje me këtë subjekt. Do të vazhdoj të jem i zëshëm, aktiv dhe i përkushtuar si qytetar i lirë që nuk rri duarkryq përballë padrejtësive.
Me respekt,
Mentor Majaci
06.09.2025
