Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka dënuar me 3 vite burgim të akuzuarit Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci të cilët ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kurse Fatime Merovci është liruar nga aktakuza.
Aktgjykimi është shpallur të enjten me një orë vonesë nga kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”
Në këtë rast, Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa, Rrahim Merovci dhe Fatime Zeneli, ku i pandehuri i parë si kryetar dhe të tjerët si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, po akuzohen për avancimin e një punonjësi në këtë spital duke shpërfillur procedurat ligjore.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Mirdi Strana, Zahir Musa dhe Rrahim Merovci janë dënuar me nga 8 muaj burgim secili veç e veç.
Ndërsa, i akuzuari Ixhmet Rexhepi u dënua me një vit burgim.
Të akuzuarit e shpallur fajtorë obligohen që të paguajnë dëmin në emër të kërkesës pasurore juridike në vlerë prej 37 mijë e 498 euro e 26 centë, në afat prej 3 muajve nga dita e plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas aktgjykimit, anulohet vendimi nr.800 i datës 30 qershor 2015 i nxjerrë nga Këshilli Drejtues i Spitalit të Mitrovicës, dhe kontrata e punës nr.28/2 e datës 30 qershor 2015 për punëtorin e Arbnor Bajraktarit.
Po ashtu, të akuzuarit e shpallur fajtorë obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës gjyqësore, dhe atë secili veç e veç 200 euro në emër të paushallit gjyqësor, dhe secili veç e veç 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Të akuzuarit e shpallur fajtorë obligohen që në menyrë solide të paguajnë shpenzimet në vlerë prej 275 euro në emër të ekspertizës financiare.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 16 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Mirdi Stranës, Ixhmet Rexhepit, Zahir Musës, Rrahim Merovcit dhe Fatime Zenelit, me arsyetimin se si persona zyrtarë, Strana – kryesues, Rexhepi, Musa, Merovci e Zeneli si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personit tjetër ose t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Sipas aktakuzës, të njëjtit me dashje, pa i përfillur procedurat e konkursit pasi që është dashur të shpallet, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues më 30 qershor 2015, kanë aprovuar kërkesën e Arbnor Bajraktarit me edukim “Bachelor i arteve në menaxhment”, për avancim në pozitën “Menaxher të teknologjisë informative (TI)” me koeficient 8.40 (paga bazë 634 euro e 39 centë), edhe pse Bajraktari ka pasur kontratë pune në kohë të pacaktuar, të datës 13 shkurt 2014 në pozitën “Administrator në sistemin informativ shëndetësor” në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, me koeficient 4.80 (paga bazë 290 euro).
Aktakuza thotë se i pandehuri Mirdi Strana në kundërshtim me Ligjin e Punës nr.03/L212, ka marrë vendim më 30 qershor 2015, së bashku edhe me të pandehurit tjerë, sipas të cilit Arbnor Bajraktarin e caktojnë në pozitën “Menaxher i teknologjisë informative (TI)”, Departamenti i administratës dhe shërbimeve ndihmëse në Spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë, me çka i kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë deri në ngritjen e kallëzimit penal në vlerë prej 14 mijë e 482 euro e 25 centë.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.