Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.
Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë REL, në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.
Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.
Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.
“Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDBA) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.
UDBA ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.
Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.
Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash./REL















