Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të Qumështores “Vita”.
Në reagim thuhet se ky është alarm për gjithë sektorin privat në Kosovë.
Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ky vendim është goditje direkte për gjithë ekonominë e Kosovës.
Komunikata e plotë:
Lidhja e Bizneseve të Kosovës
Mbyllja e Qumështores VITA është goditje direkte ndaj ekonomisë së Kosovës!
Ajo që po ndodh me Qumështoren VITA është alarm për gjithë sektorin privat në Kosovë.
Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm çështje e një kompanie – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj qindra vendeve të punës, qindra fermerëve vendorë, zinxhirit të furnizimit dhe stabilitetit të tregut në Kosovë.
Kjo është një goditje e rëndë ndaj prodhimit vendor dhe një sinjal jashtëzakonisht negativ për investitorët – si vendorë ashtu edhe të huaj.
Institucionet duhet ta kenë të qartë: bizneset nuk janë objekt eksperimentesh apo vendimesh që rrezikojnë ekzistencën e tyre. Kosova nuk ndërtohet duke i mbyllur fabrikat, por duke i mbrojtur ato.
Sundimi i ligjit po –
Por jo selektivitet, jo presion dhe jo vendime që shkatërrojnë ekonomi.
Mjaft më me qasje që dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe klimën e biznesit në vend.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo biznesi vendor dhe të ekonomisë së vendit.












