Albian Hajdari i ‘çelë letrat’: Më kërcënuan, por s’i bie kurrë pishman që zgjodha Kosovën
“Kam marrë kërcënime dhe fyerje. Më kërcënonin familjen, ata u frikësuan dhe u prekën, por unë u thashë të mos frikësohen”, ka thënë mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari për mediumin “Watson”.
Ai foli për abuzimin që e kishte marrë kur zgjodhi ta përfaqësojë kombëtaren e Kosovës, para asaj të Zvicrës.
Në një intervistë të gjatë, ai shpjegon vendimin e tij, çka ndodhi pasi kaloi te Kosova dhe shumë gjëra të tjera.
ARTIKULLI I PLOTË:
“Të rinjtë futbollistë që kanë dy pasaporta shpesh herët në karrierë përballen me vendimin se për cilin vend do të luajnë. Mbrojtësi qendror Albian Hajdari vendosi pas një ndeshjeje me Zvicrën që në të ardhmen të luajë për Kosovën. Ai tani ka folur më hapur se kurrë për arsyet e këtij vendimi dhe reagimet që pasuan vjeshtën e kaluar.
KJO ishte një nga temat që e ka shqetësuar gjithë futbollin zviceran vitin e kaluar: disa talentë ndryshuan kombëtare dhe vendosën të mos luajnë më për Zvicrën, por për vende të tjera. Njëri prej tyre ishte edhe Hajdari, i cili kishte një rast të veçantë, pasi kishte qenë më parë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares së Zvicrës dhe kishte luajtur madje edhe 45 minuta në një ndeshje miqësore. Megjithatë, pasi kjo nuk ishte ndeshje zyrtare, ai kishte ende të drejtë të ndryshonte përfaqësuesen.
Mbrojtësi i Hoffenheimit, i rritur në Aesch në kantonin Basel-Landschaft, ka shpjeguar më parë vendimin e tij, por jo aq hapur sa në dokumentarin “The Belonging”, i cili trajton futbollistët me pasaporta të dyfishta dhe zgjedhjet e tyre mes Zvicrës dhe vendeve të origjinës së prindërve.
Albian Hajdari, ju keni qenë disa herë në grumbullim me Zvicrën nën trajnerin Murat Yakin. Nëse do të kishit luajtur në Ligën e Kombeve, do të ishit “i lidhur” me Zvicrën. A do ta konsideronit sot një gabim?
“Është e vështirë ta vlerësoj. Nëse do të kisha luajtur, do të kishte qenë kështu dhe tema do të mbyllej. Atëherë do të duhej të luaja aq mirë sa trajneri të mos më hiqte më nga ekipi.”
Kur lindi ideja për të mos luajtur më për Zvicrën?
“Grumbullimi për ndeshjet miqësore ishte një moment i rëndësishëm. Shpresoja të kisha më shumë mundësi për të treguar veten. Kur pashë se luajta vetëm 45 nga 180 minuta, sinqerisht u zhgënjeva.”
Çfarë ju shqetësoi?
“Nuk e kuptova pse ftohen lojtarë të rinj dhe pastaj nuk u jepet shumë hapësirë për të luajtur.”
A ndiheshit i zhgënjyer nga trajneri Murat Yakin dhe Federata Zvicerane?
“Në atë kohë po luaja mirë me Luganon dhe edhe në arenën ndërkombëtare kisha paraqitje të mira. Prisja më shumë qartësi për planin që kishin për mua dhe më shumë besim për të treguar veten. Kjo ndikoi në vendimin tim.”
Në dokumentar ju thoni se historia e Kosovës ishte vendimtare. Çfarë ju bindi?
“E kam studiuar historinë e të dy vendeve. Kosova është një shtet i ri që ka kaluar shumë. Kam folur me njerëz që e kanë përjetuar atë kohë. E kuptova se nëse arrij diçka me Kosovën, mund t’i bëj njerëzit shumë krenarë. Kjo më dha një ndjenjë të veçantë.”
Gazetarja kosovare Jeta Xharra thotë se ju dhe Leon Avdullahu jeni ‘ushtarët e së ardhmes së Kosovës’. A ishte edhe kjo pjesë e vendimit tuaj?
“Po, patjetër. Në Zvicër nuk bëhesh simbol i kombit kaq shpejt. Në Kosovë mund të lësh një trashëgimi më të madhe. Gjithashtu doja t’u jepja kurajë lojtarëve të rinj që të besojnë se edhe me një vend më të vogël mund të arrihen gjëra të mëdha.”
A ju ka surprizuar reagimi publik?
“Jo. Prisja reagime. Por nuk e prisja që në Zvicër do të kishte kaq shumë debat dhe frikë për humbjen e lojtarëve me pasaporta të dyfishta. Madje pati kërcënime dhe mesazhe shumë personale.”
A keni marrë kërcënime?
“Po, në rrjete sociale. Njerëz që thoshin se e dinin ku jetoj unë dhe familja ime. Por unë nuk i marr shumë seriozisht. Familja ime u prek më shumë, por u thashë se unë e kam marrë vendimin dhe është detyra ime t’i mbroj.”
A ndikuan prindërit në vendim?
“Jo, ata më lanë të lirë dhe më mbështetën pavarësisht zgjedhjes. Vendimin e mora vetë.”
A jeni penduar që nuk do të luani në Botërorin me Zvicrën?
“Jo. Nuk jam njeri që pendohet. Kur marr një vendim, e mbështes 100%. Kosova është ende në zhvillim dhe dua të jem pjesë e kësaj historie.”/GazetaExpress/












