Albulena Haxhiu nuk është më Ministre e Drejtësisë. Ajo u zgjodh të mërkurën nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Pas vetes la një mandat me shumë premtime të parealizuara. Në krye të listës qëndron rasti i Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.
VV-ja ishte e bindur se Astrit Dehari ishte vrarë, ndonëse raportet ndërkombëtare për këtë rast nuk e konstatonin këtë. Si opozitë, por edhe kur erdhën në pushtet, nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, premtonin se do ta zgjidhnin këtë rast.
Albulena Haxhiu ishte nga më të zëshmet. Në shkurt të 2020-së, kur u bë për herë të parë Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Haxhiu vizitoi qendrën e paraburgimit në Prizren ku vdiq Astrit Dehari dhe nga aty premtoi se do të punojnë për ta zbardhur këtë rast.
“Ne do të luftojmë deri në fund për të zbardhur rastin e Astrit Deharit”, thoshte Haxhiu në atë kohë.
Në Kurti 1 ishte për pak kohë ministre, s’bëri asgjë. Por, as në Kurti 2, ku drejtoi për katër vjet dikasterin e Drejtësisë, nuk e pati asnjë rezultat për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.
Përkundrazi, gjatë mandatit të saj pati skandale tjera për këtë rast. Në dhjetor të vitit 2022, Haxhiu kishte dalë në një konferencë për media për të treguar se ishin humbur mostrat e Astrit Deharit, të cilat ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Sot, Haxhiu është ulur në një karrige të re – nënkryetares së Kuvendit. Por, prapa vetes e le një rast të pazgjidhur – i cili kishte qenë njëra nga kauzat më të mëdha të VV-së – atë të Astrit Deharit