Ambasada e Amerikës në Kosovë ka thënë se ushtrimi ndërkombëtar shumëkombësh që po zhvillohet në vendin tonë, “Defender Europe 25”, demonstron forcën e partneritetit të ShBA-së me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Aleatët e NATO-s.
Nga Ambasada theksuan poashtu se “Defender 25”, tregon edhe aftësinë e Ushtrisë Amerikane për të vepruar me shpejtësi përkrah Aleatëve, duke shtuar se kjo demonstron angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s.
“DEFENDER 25 tregon aftësinë e Ushtrisë Amerikane për t’u vendosur dhe për të vepruar me shpejtësi përkrah Aleatëve nga Arktiku në Mesdhe dhe Detin e Zi, duke demonstruar angazhimin e ShBA-së ndaj NATO-s dhe fuqinë e partneritetit. Mbi 960 trupa të FSK-së po stërviten përkrah forcave amerikane dhe partnere në të gjithë Evropën, duke theksuar rolin në rritje të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale”, ka thënë Ambasada.
Në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Babaj të Bokës, si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 25”, sot mori pjesë edhe e ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Kosovës, Anu Prattipati.
“Stërvitja demonstron forcën e partneritetit të SHBA-së me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Aleatët e NATO-s. Për herë të parë, Kosova po pret një seli në nivel divizioni, me 180 personel nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë, Garda Kombëtare e Ushtrisë së Pensilvanisë, që mbikëqyr katër brigada shumëkombëshe”, shkruhet ndër tjerash në postimin e Ambasadës.