Në një zhvillim jo shumë të zakontë, The Times of Israel raporton se ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, do të marrë pjesë në seancën gjyqësore të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për të treguar mbështetjen e tij për liderin izraelit.
“Do të kaloj sot dhe do të qëndroj pak aty. Do të jetë shumë interesante të jem aty,” raportohet të ketë thënë Huckabee.
Më pas, i pyetur nga një gazetar për të shpjeguar këtë vendim të pazakontë, Huckabee thuhet se i është referuar lidhjes së ngushtë mes Netanyahut dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili muajin e kaluar kërkoi haptazi që procesi gjyqësor ndaj Netanyahut të ndalet, duke e quajtur një “gjueti shtrigash.”
Qëndrim ky që shkaktoi kritika të shumta, pasi u konsiderua si ndërhyrje në punët e brendshme të Izraelit.
“Është çështje përfaqësimi i asaj që presidenti ka thënë vazhdimisht. Presidenti e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e tij. Ai nuk ka ndërhyrë në procedurat apo në rezultatin e gjyqit. E kupton që kjo duhet të ecë sipas rrugës së vet. Por është një çështje personale për të. E konsideron kryeministrin si mik,” është shprehur ambasadori.
Ai tutje ka thesuar se bmiqësia mes liderëve është forcuar edhe më tej pas vizitës së Netanyahut në Uashington javën e kaluar: “Ata patën një lidhje të jashtëzakonshme, nëse mund ta quaj kështu. Ka një partneritet të veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit… Ne kemi aleatë, por vetëm një partner: Izraelin. Është një marrëdhënie unike.”