Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, shkruan Mitropol.
Gjatë pritjes zyrtare të organizuar me rastin e Festës Kombëtare franceze në Kosovë, ku ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare,ambasadori Guerot ka theksuar se për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që është në interes të Kosovës, vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një Qeveri të mbështetur nga ai Kuvend.
Ai gjithashtu theksoi se Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës.
” Më lejoni të ju bëjë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në këtë vend, pa përjashtim, pavarësisht nga partia e tyre apo komuniteti që përfaqësojnë. Një thirrje që ata të gjejnë rrugën e tyre drejt kompromisit, të gjejnë rrugën e tyre për të dalë nga ngërçi me të cilin asnjë votues nuk është i kënaqur” është shprehur Guerot.
Në këtë ngjarje festive, me një video-mesazh u paraqit edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përshëndeti popullin francez dhe kujtoi vlerat universale të 14 Korrikut.