Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka folur për çështjen e problemit me rrymën në Kosovë, duke theksuar se është për keqardhje që pas kaq vitesh nuk ka stabilitet në furnizimin me energji elektrike.
Ai foli për EO, ndërsa theksoi se është për keqardhje se si Kosova vazhdon prej një kohe të gjatë të përballet me paqëndrueshmëri në energji.
Ndërsa shtoi se kjo gjendje jo stabile me energji e pengon zhvillimin ekonomik dhe promovimin e tregtisë.
Sa i përket çështjes së kyçjes në gazin amerikan, ambasadori suedez tha se kjo i përket qeverisë të vendosë, por se është e rëndësishme që çdo vend të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji.
“Nuk kam ndonjë qëndrim të fortë për këtë çështje. I takon Qeverisë së Kosovës ta marrë atë vendim. Sigurisht që është e rëndësishme për çdo qeveri të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji. Mund të zgjidhen rrugë të ndryshme për ta arritur këtë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët dhe ekonomia të kenë një furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta realizuar këtë dhe unë nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë do t’ia lë qeverisë dhe negociatave të saj me aktorët ndërkombëtarë. Është për të ardhur keq që kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë. Ajo pengon promovimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, prandaj përbën një sfidë”, tha Westerlund.














