Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, ka pritur në takim gjashtë redaktorët që RTK i largoi nga moderimi i emisioneve.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se s’mund të ketë liri të shtypit nëse gazetarët nuk janë të sigurt për ta bërë punën e vet.
Në fund, ambasada thotë se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet aktuale shqetësuese në media.
“Nuk mund të ketë liri shprehjeje apo liri shtypi nëse gazetarët nuk janë të sigurt për të bërë punën e tyre. Holanda vazhdon të bëjë fushatë për mbrojtjen e gazetarisë së pavarur dhe për sigurinë e gazetarëve në mbarë botën, pasi ata janë gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Në këtë frymë, Ambasadorja Karin Boven ftoi një grup prej 6 redaktorësh lajmesh të transmetuesit publik RTK dhe dëgjoi mendimet, shqetësimet dhe sfidat e tyre. Si Holandë, ne besojmë fuqimisht në lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe në një ofrim informacioni të hapur, të drejtë dhe transparent nga media, duke u mundësuar në të njëjtën kohë gazetarëve të kryejnë rolin e tyre me integritet të lartë. Njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Ambasada e Holandës në Kosovë do të ndjekë me vëmendje zhvillimet aktuale shqetësuese në media.”