Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në NATO nuk është në agjendën e vendeve aleate. Këtë e konfirmoi vetë Sekretari amerikan i Shtetit derisa tha se tensionet aktuale kanë mbizotëruar bisedimet e tyre brenda Aleancës. Megjithatë, Marco Rubio nuk ia humbi shpresat Kosovës që një ditë do të mund të jetë anëtare derisa nuk foli më shumë për katër shtetet mosnjohëse brenda NATO’s.
Gazeta Express
Pas vizitës në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, kongresisti republikan Keith Self i ia shpalosi pikëpamjet e tij për “situatën jashtëzakonisht të brishtës” në rajon dhe kërkoi komentet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mbi Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith, i cili kryetar Nënkomitetit për Europë në Dhomën e Përfaqësuesve, i kërkoi Rubios të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO derisa i përmendi katër aleatët të NATO-s “që vazhdojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO”.
“Natyrisht, kemi edhe çështjen e pazgjidhur mes Serbisë dhe Kosovës: Serbia e konsideron Kosovën një krahinë të saj, ndërsa shumica e botës e njeh Kosovën si shtet sovran. Kjo është një zonë jashtëzakonisht e brishtë e Evropës dhe do t’ju kërkoja të mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO përballë këtyre katër vendeve në takimin në Turqi që sapo përmendët. Unë po kërkoj stabilitet dhe ekuilibër në Ballkanin Perëndimor. Prania jonë ushtarake është shumë e rëndësishme në atë rajon, veçanërisht përmes KFOR-it”, i tha Self Rubios.
Por, përgjigjja që mori nga Rubio nuk i konfirmoi një angazhim amerikan në këtë çështje në situatën aktuale.
“Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s. Sinqerisht, nga takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm, përshtypja ime është se NATO aktualisht është aq e përqendruar në çështje të tjera saqë zgjerimi – veçanërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera – nuk është në krye të agjendës së vendeve anëtare”, tha Rubio.
Ai shtoi: “Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë; thjesht do të thotë se, për shkak të këtyre pikave të tjera të tensionit, kjo temë nuk ka zënë vend të rëndësishëm në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”.
Sekretari i Shtetit gjithashtu tha se “gjëja e fundit” që SHBA do të shohë “është çfarëdo lloj konflikti, ndarje apo copëtimi, sepse kjo do të krijonte konflikte të mëtejshme”.
Në këtë seancë, Self i vuri në dukje Rubios që vetëm në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, SHBA s’ka propozuar ambasador.
“Falënderoj për ambasadorët që janë nominuar së fundmi për atë rajon. Vura re se për Kosovën nuk ishte nominuar ambasador dhe do të kërkoja mbështetjen tuaj edhe në këtë drejtim”.
Përmes një dekreti, Shtëpia e Bardhë ka nominuar më 1 qershor ambasadorë për në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi. Këto nominime duhet të konfirmohen nga Senati amerikan.
Pas fjalës së Rubios, Self sërish tha se “kur shikon Ballkanin Perëndimor, ekziston një lloj boshllëku sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO.
“Prandaj ka mungesë stabiliteti”, tha kongresisti.
Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Europën Juglindore.
Në Kosovë, ku zgjedhjet do të mbahen në fund të javës, tema e anëtarësimit të Kosovës në NATO është pjesë e zotimeve që ofrojnë partitë në fushatë.














