Anija turke “TCG Sancaktar”, pjesë e flotës ushtarake, ka arritur në Portlin e Durrësit në kuadër të vizitës së misionit NSPA të NATO-s.
Kjo anije ka një gjatësi rreth 139 m dhe kapacitet mbajtës deri në 1,180–1,200 tonë ngarkesë, ku mund të akomodohen deri 18–20 tanke apo 24 automjete të blinduara dhe deri në rreth 350 forca të vendosura mbi bord, raporton TCH.
“TCG Sancaktar” është anije strategjike që fuqizon kapacitetet amfibe dhe mbështetjen logjistike të Turqisë në Mesdhe dhe më gjerë.
Kjo anije ka marrë pjesë në një sërë misionesh të rëndësishme, ndër të cilat Peace Spring në Siri në 2019, Efes 2024, ku është angazhuar dhe ka asistuar në operacionet e bashkëpunimit strategjik, të stërvitjeve ndërkombëtare dhe të ndihmës emergjente.