Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë detaje lidhur me procesin e numërimit të votave me postë. KQZ, ka theksuar se tashmë ka filluar numërimi i këtyre votave, proces i cili është mundësuar në 23 kuti postare të KQZ’së.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar se, zarfet, pas vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.
‘‘Të premten në mbrëmje (12 qershor) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve të para nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës, i mundësuar në 23 kutitë postare të KQZ-së. Zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar. Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë’’, ka deklaruar ai për Gazetën Express.
Tutje, Elezi, ka njoftuar edhe se, në të njëjtën kohë, po vazhdon vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë, duke bërë të ditur se deri më tani, janë aprovuar 59,973 pako.
‘’Gjatë ditës së shtunë, në QNR ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Deri në përfundim të ditës së premte (12 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aporvuar 59,973, ndërkaq janë refuzuar 2,244. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,066 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ’’, ka deklaruar Elezi.












