Komisionari i përgjithshëm i agjencisë UNRWA të Kombeve të Bashkuara, Philippe Lazzarini, ka thënë se punonjësve të këtij institucioni po u bie të fikët në punë nga uria në Gaza.
“Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur, as të gjallë, janë kufoma që eci”, më tha këtë mëngjes një koleg në Gaza” – shkroi Lazzarini në rrjetin X, raporton gazeta “The Guardian”.
“Kjo krizë që po thellohet është duke e prekur secilin, përfshirë ata që po mundohen të shpëtojnë jetë në enklavën e rrënuar nga lufta. Punëtorët e UNRWA-së në vijën e frontit po mbijetojnë me një shujtë të vogël ushqimi në ditë, shpesh me bimë bishtajore, nëse i kanë edhe ato” – shtoi ai.
“Atyre gjithnjë e më shumë po u bie të fikët nga uria gjatë qëndrimit në punë. Kur kujdestarët nuk mund të gjejnë mjaftueshëm për të ngrënë, i tërë sistemi humanitar do të kolapsojë” – paralajmëroi zyrtari i OKB-së.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha të enjten se Izraeli ka bërë disa përpjekje drejt përmirësimit të shpërndarjes së ndihmave humanitare te popullsia në Gaza, por situata mbetet e rëndë.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian është duke e vlerësuar situatën dhe të gjitha opsionet mbeten në tavolinë, nëse Izraeli nuk përmbush një marrëveshje të bërë me BE-në më herët këtë muaj për përmirësimin e situatës humanitare në Gaza.
Në këtë pakt përfshihen rritja substanciale e numrit të kamionëve për dërgimin e produkteve ushqimore dhe joushqimore në Gaza, hapja e disa pikëkalimeve të tjera kufitare në zonat veriore dhe jugore të enklavës si dhe rihapja e rrugëve egjiptiane dhe jordaneze të ndihmave.
Ndërkohë, zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë të enjten se dy adoleshentë palestinezë u vranë nga zjarri izraelit natën e së mërkurës në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj kanë shtënë me armë në drejtim të palestinezëve që po hidhnin koktejë molotovi në drejtim të një autostrade, duke vrarë dy prej tyre afër qytezës Al-Khader.