Zyra e Auditorit ka publikuar raportin me të gjetura dhe shkeljet në ndërmarrjen “Trepça” gjatë vitit 2025. Sipas raportit, auditorët kanë zbuluar parregullsi të rënda dhe shkelje sistematike ligjore në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe detyrimeve tatimore.
Auditori ka gjetur se mbi 100 punëtorë janë duke punuar pa kontrata të punës, duke përfshirë edhe ndryshime në paga, pa nënshkruar fare kontrata të reja apo anekse të kontratave ekzistuese.
E po ashtu edhe në Njësinë Kopaonik-Leposaviq, kontratat e punës të punonjësve vazhdojnë të jenë të nënshkruara në emër të “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së”, i cili është një subjekt juridik i shuar sipas Ligjit për Trepçën.
Mungesa e pagesës së TRUST-it dhe shmangia tatimore: Mbi 15 milionë euro borxh
Përveç kësaj, një shkelje që konsiderohet të jetë ë rëndë është raportuar edhe shmangia e tatimit ndaj shtetit.
Në Njësinë Kopaonik-Leposaviq janë realizuar pagesa për punonjësit të cilat nuk janë trajtuar si pjesë e pagës bruto. Këto pagesa nuk u janë nënshtruar tatimit në të ardhurat personale dhe as kontributeve pensionale, duke rënë në kundërshtim të plotë me legjislacionin fiskal në fuqi.
Për rreth 107 punonjës në njësinë e Leposaviqit nuk është bërë fare deklarimi i tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Ndërmarrja nuk i ka kryer pagesat për tatimin në paga dhe kontributet pensionale që nga viti 2020, duke akumuluar një borxh masiv prej 15,005,277 €, ku përfshihen edhe interesat e ndëshkimet.
Për më tepër, obligimet ndaj tatimit në burim ishin nënvlerësuar në pasqyrat financiare për 37,225 €, ndërsa ato për kontribute pensionale ishin mbivlerësuar për 51,615 €, duke fshehur gjendjen reale të borxhit ndaj ATK-së.
Përkundër faktit që Trepça Sh.A ka pranuar subvencione të majme nga Qeveria në vlerë prej 5,320,332 € për vitin 2025, këto mjete janë shfrytëzuar pothuajse tërësisht vetëm për pagesën e pagave të punonjësve.
“Pavarësisht kësaj mbështetjeje, gjendja financiare e ndërmarrjes mbetet e brishtë, pasi detyrimet afatshkurtra në fund të vitit arritën në 36,741,032 €”.
Në të njëjtën kohë, ndërmarrja ka regjistruar humbje neto prej 2,233,687 € vetëm brenda vitit 2025, duke u përballur edhe me bllokime nga procedurat përmbarimore.














