Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e paraparë për të martën, më 21 maj, të thirrur nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Në këtë takim, përveç përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, ishin të ftuar edhe ZRRE dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Në një komunikatë për media, Autoriteti sqaroi se ky vendim është marrë mbi bazën e mandatit kushtetues dhe ligjor të institucionit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe paanshmërisë institucionale.
“Autoriteti nuk merr pjesë në debate apo iniciativa që nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore dhe që bartin karakter politik apo ad-hoc,” thuhet në njoftim.
Duke u mbështetur në nenin 21 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti kujtoi se është agjenci e pavarur që i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës dhe se “ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”.
Tutje, në njoftim theksohet se në rrethanat aktuale, ku Kuvendi ende nuk është konstituar, Autoriteti nuk mund të ndërveprojë me deputetë individualë jashtë kornizës zyrtare.
Në përmbyllje, Autoriteti rikonfirmon përkushtimin për “të vepruar në mënyrë profesionale, objektive dhe të paanshme, duke garantuar funksionimin e tregut të lirë dhe të drejtë, në përputhje me parimet ekonomike dhe ligjore.”