Avokati Tomë Gashi, në studio në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka komentuar lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka folur edhe për takimin e Fatmir Limajt me presidenten Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme, ku kanë diskutuar për mundësinë e tejkalimit të ngërçit në Kuvend.
“Mendoj që ai do të duhej të takohej me të dy [Kurtin dhe Osmanin], faktikisht. Mirëpo ky takim me presidenten besoj që është i mirëseardhur dhe është në kuadër të punëve zyrtare që i ka presidentja, posaçërisht pas nxjerrjes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese… para 20 ditëve, dhe tani na kanë mbetur edhe 8 ditë për t’u gjetur ajo zgjidhje e cila është imponuese apo është detyruese”, ka thënë ai.
Gashi tutje ka thënë se gjatë këtij vikendi ndoshta do të ndodhë një “mrekulli” dhe “ajo seanca e 49-të të jetë ajo përfundimtarja”.
“Mundet edhe e 50-ta me qenë… Mendoj që të gjithë deputetët do të duhej të jenë seriozë sepse situata është serioze dhe është bërë serioze. Ne faktikisht po humbim kredibilitet si shtet nëse vazhdojmë kështu, dhe ndoshta do të jetë kjo ‘magjia’, të themi, që do të ndodhë ditën e nesërme, që ne përfundimisht të konstituojmë kryesinë e Parlamentit të Republikës së Kosovës, e pastaj është çështje e deputetëve nëse do të vendosin të vazhdojnë më tutje në kuptimin e zgjedhjes së organeve të tjera, apo ndoshta do të pasojë një marrëveshje që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai.