Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Dhomave të Specializuara të Kosovës të 13 tetorit, duke argumentuar se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e përjashton mandatin kushtetues të institucionit kosovar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Në reagimin e nënshkruar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thuhet se përgjegjësia ekskluzive e caktuar për Zyrën e Avokatit të Popullit në Hagë nuk nënkupton domosdoshmërisht kompetencë ekskluzive që përjashton institucionet e tjera nga ushtrimi i funksioneve të tyre.
Sipas Qelajt, përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive janë dy koncepte të ndryshme juridike dhe nuk mund të përdoren si sinonime.
“Ky është detyrim për të vepruar, dhe jo e drejtë për të penguar veprimin e institucioneve të tjera”, thuhet në reagim, ku theksohet se përjashtimi i kompetencave të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës duhet të argumentohet në bazë të dispozitave përkatëse kushtetuese.
Qelaj ka ngritur gjithashtu shqetësimin se Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë, sipas vlerësimit të tij, deri më tani nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin monitorues për t’iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara.
Ai ka vlerësuar se ekzistenca e një zyre të caktuar, pa ushtrimin efektiv të mandatit të saj, nuk duhet ta pengojë një institucion tjetër të themeluar me Kushtetutë që të monitorojë të drejtat e njeriut brenda kompetencave të veta ligjore.
Megjithatë, në reagim sqarohet se qëndrimi i IAP-së të Kosovës nuk nënkupton se mandati i tij mbizotëron ose zëvendëson përgjegjësitë e veçanta të Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë. Sipas Qelajt, të dy mekanizmat kanë mandate plotësuese.
Një tjetër çështje e ngritur në reagim është mungesa e përgjigjeve nga Dhomat e Specializuara ndaj shqetësimeve të adresuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës që nga viti 2021.
Qelaj ka deklaruar se institucioni që drejton ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara, edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, por se nuk ka marrë përgjigje.
Sipas tij, kjo mungesë e vazhdueshme e përgjigjeve ngre shqetësime serioze për transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë.
Në reagim theksohet se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve të përgjithshme për funksionimin e sistemit gjyqësor janë në përputhje me mandatin ligjor të Avokatit të Popullit dhe nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në pavarësinë gjyqësore.
“Pavarësia gjyqësore nuk mund të shërbejë si arsyetim për mungesën e transparencës ose të llogaridhënies institucionale”, thuhet në reagim.
Në fund, Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se qëndrimet publike që, sipas tij, vendosin kufizime arbitrare dhe të paarsyetuara mbi mandatin e një autoriteti kushtetues cenojnë rolin e një institucioni të pavarur dhe mund të shfaqin tendencë për refuzimin e kontrollit demokratik, kritikës konstruktive dhe debatit publik.
















