Babai i të mitures B.SH, e cila u gjet mbrëmë në një banesë në Fushë Kosovë me dy burra të moshës madhore, pretendon se vajza e tij deri më sot, nuk u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, anipse në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës konfirmohej një gjë e tillë.
Në rrëfimin e tij, për klankosova.tv, Remziu tha se policia e Kosovës, stacioni i Fushë-Kosovës, gruas së tij i thanë mbrëmë se do ta dërgojnë tek sot në orën 12:00 një ekip për ta dërguar në IML, duke pohuar madje se njëri nga rreshterët dha edhe ekzaminim mjekësor!
”Kam kërku prej anës së policisë me e thirr mjekun, rreshteri ka thënë: ”Nuk ka nevojë se po shihet që vajza është mirë”.
”Rreshteri më ka thënë me çu unë dhe gruaja, me dërgu vajzën në rehabilitim dhe te mjeku, unë iu kam thënë që nuk kam kapacitet me shëru sepse nuk i kam kushtet”.
Remzi Shala shprehu edhe shqetësimin se si Policia e Kosovës ka liruar dy personat e dyshuar që ishin me vajzën e tij e që në raport rasti me ta cilësohej dhunim.
”Vajza kur ka ardhë në banesë ka qajtë, dhe u ardhë pa pikë gjaku në fytyrë, si e huaj”, tha ai.
Sipas tij, dy personat të moshës madhore që ishin me vajzën e tij janë A.P nga komuna e Drenasit dhe tjetri me iniciale të panjohura por nga Prizreni.
Ndërkaq, shton se me dy personat ishte edhe vajza A.R, 23 vjeçe, e cila sipas tij merret me trafikim të vajzave, por e njëjta në momentin kur kishin mbërritur policia, kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
”Unë jam dal çdo natë e kam kërku evladin tem, e kam gjetur në Fushë Kosovë, në një banesë pranë një bari, në katin e tetë, e kam gjetë me dy djem dhe atë vajzën. Unë e kam gjetë vajzën dhe e kam njoftuar policinë. A.R më ka ikur nga objekti”, shprehej babai i të miturës për Klankosova.tv