Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se puna e parë që do të bëhet pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Komisioneve Parlamentare, do të jetë formimi i një Komisioni Hetimor, i cili do të hetojë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, KOSTT’in dhe të gjithë akterët në sektorin e energjisë.
Sipas Bajramit, përgjegjësit kryesorë për çdo gjë që ka ndodhur në sektorin e energjisë janë bordi i ZRRE-së, që thotë se i është nënshkruar “qeverisë dhe mafisë energjetike”.
“Hetim dhe përgjegjësi për përjashtimin e 1300 kompanive nga shërbimi universal i furnizimit me energji në emër të një tregu të lirë që nuk ekziston.
Hetim për dominimin e tregut nga NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqëçit, dështimet e remontëve në KEK, blerjet e energjisë jashtë rregullave të tregut nga ana e KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s.”, ka shkruar Bajrami.
Ajo thotë se përgjegjësi të madhe këtu ka edhe Kurti.
“Normalisht, përgjegjësi të madhe këtu ka Kurti me bashkpuntorë të cilët erdhën në pushtet duke përzënë Counter Global-in e me premtimin me liru çmimin e energjisë, por krejt çka kanë ba këto katër vite e gjysëm është trefishim i çmimit dhe politika në funksion të mafisë energjetike. Bordi i ZRRE-së i është nënshtruar qeverisë dhe mafisë energjetike që katër vjet e gjysmë”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike. Vendimi u bë i ditur dje, ndërkaq ZRRE-ja ka reaguar duke thënë se u dëshmua se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
ZRRE u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare të ZRrE, sepse siç thekson njoftimi, nga data e 16.08.2025 konsumatorët komercial të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik.