Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Bajrami e ka cilësuar këtë vendim si “alarm për drejtësinë dhe për shtetin”.
Ajo ka thënë se sot është dhënë, sipas saj, një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit.
“Kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, vota e qytetarëve i jep pushtetit të drejtën për të qeverisur, por jo për të kontrolluar prokurorinë dhe gjykatat.
“KPK-ja nuk duhet të jetë vegël e asnjë pushteti politik”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka ngritur shqetësimin se nëse një prokuror mund të largohet për shkak se vendimet e tij nuk i pëlqejnë pushtetit, atëherë, sipas saj, prokurorët dhe gjyqtarët nuk do të ndihen të sigurt kur hetojnë zyrtarë të lartë.
“Sepse kur pushteti kontrollon institucionet që duhet ta kontrollojnë atë, qytetari mbetet i pambrojtur. Këtë nuk duhet ta pranojmë si normale dhe nuk do ta pranojmë!”, ka deklaruar Bajrami.














