Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kur po afrohemi 12 tetorit, po vazhdon të humbasë disa nga njerëzit më të afërt në qeverisjen e tij.
Pas Blerim Kuçit, i cili para disa kohësh braktisi AAK për të dalë në LDK, një gjë të tillë e ka bërë edhe Ardian Kotorri, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Drejtori i Bujqësisë, Kotorri, ka vendosur që në fund të mandatit të lë Bali Muharremajn dhe t’i bashkohet ekipit të LDK-së për zgjedhjet lokale.
Kotorri ishte një nga njerëzit më të afërt të kryetarit Muharremaj, me pozitën e drejtorit dhe kryetarit të njërës nga nëndegët më të mëdha të AAK-së në Suharekë.
Pritshmëritë në fund të mandatit janë që kryetari të marrë kuadro, Muharremaj po i humb ata./Veriu.info/
Njoftimi i Ardian Shalës së LDK-së:
Mirë se vjen në LDK Ardian Kotorri
Sot, me kënaqësi të veçantë, mirëpresim aderimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës të z. Ardian Kotorri, kryetar i deritanishëm i nëndegës së AAK-së në Samadraxhë, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural në Komunën e Suharekës.
Rikthimi i z. Kotorri në radhët e LDK-së është dëshmi e qartë se vizioni dhe vlerat e Lidhjes Demokratike po gjejnë gjithnjë e më shumë përkrahje nga qytetarët, intelektualët, si dhe figurat publike të respektuara të komunës sonë.
Ju rikuktoj se kohëve të fundit, nga AAK-ja në LDK janë rikthyer shumë simpatizantë e aktivistë, në mesin e të cilëve edhe asamblistët Xhevxhet Gashi e Sanije Kuçi-Rexhepaj, dy kryetarë nëndegësh nga Studençani e Reshtani, z. Blerim Kuçi një figurë emblematike e Suharekës. Jemi në pritje edhe të shumë zyrtarëve e figurave të njohura. LDK i ka të hapura dyert për të gjithë ata që kanë vullnet dhe përkushtim për të punuar për vendin e qytetarët.
Këto aderime dhe rikthime të vazhdueshme janë pritur me entuziazëm dhe përkushtim nga të gjitha strukturat e degës sonë, dhe janë sinjal i qartë i fuqizimit të LDK-së si shtëpia e natyrshme e njerëzve që besojnë në vlerat e shtetit, qytetarisë dhe zhvillimit.